Forumi Kombëtar Kundër Korrupsionit

Inspektimi nuk është më një hap për të inkurajuar luftën ndaj korrupsionit, por një mjet analize dhe masash ndëshkuese. Transparenca dhe llogaridhënia janë standarde që kanë shoqëruar veprimin tonë përgjatë gjithë vitit. Janë bërë 4 raportime publike të MAS-it për çdo nismë dhe reformë të ndërmarrë.

Ne po ndërtojmë një sistem të shëndetshëm në luftën kundër korrupsionit dhe e kemi treguar. Janë larguar 2 drejtues të drejtorive arsimore, është arrestuar një drejtor zyre arsimore. Janë shkarkuar rektorët e parë që kanë shkelur ligjin dhe kanë abuzuar me detyrën.

Janë mbyllur 18 Institucione të arsimit të lartë privat që funksiononin si kioska për të dhënë dhe shitur diploma. U janë hequr licencat 12 institucioneve të arsimit të mesëm privat që ishin pastër piramida të korrupsionit.

Vetëm në një vit qeverisjeje janë bërë, në luftën kundër korrupsionit, më shumë se sa gjithë këto vite. Lejomëni, të nderuar pjesëmarrës, që modestish, por edhe qartësisht të ndaj vullnetin tonë për të garantuar siguri përmes ndërtimit të një sistemi që nuk lë shanse për korrupsion, pjesë e bindjes se nuk janë njerëzit ata që korruptojnë sistemin.

Historia e Arsimit, as nuk fillon e as nuk mbaron me Qeverinë Rama, por ajo që na dallon qartazi nga qeveritë e së shkuarës është vullneti i palëkundur në luftën kundër korrupsionit  dhe ç’rrënjosja  e kulturës së pandëshkueshmërisë edhe në arsim, po aq sa edhe ndërtimi i një sistemi të shëndetshëm si përgjigje ndaj korrupsionit, kjo jo me fjalë, por me fakte.

Për të gjithë ata nihilistë që përpiqen të rrënojnë gjithçka dhe e shikojnë çdo fillim të ri sikur është vetëm një ditiramb. Lejomëni t’ju drejtohem. A ka pasur më parë procese konkurruese të hapura dhe publike? A ka pasur më parë shprehje të vlerësimin të 32 mijë mësuesve me votë të fshehtë për drejtuesit e tyre në rang shkolle apo drejtorie arsimore? Jo.

Mësuesit u shprehën dhe ne analizuam e lexuam drejt votën e tyre duke bërë ndërhyrjen e nevojshme. Pyetëm mësues e prindër të shpreheshin me shkrim për çdo të metë në tekstet shkollore dhe morëm masa për korrigjimin e tyre si dhe për heqjen nga katalogu të 120 teksteve. MAS largoi nga detyra një drejtues të një Drejtorie Arsimore Rajonale, pas një  denoncimi për tendence për të ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së një teksti.

A ka pasur më parë një debat në këtë përmasë publike, për reformën në Arsimin e Lartë, pedagogët thonë jo, studentët thonë jo edhe kur nuk bien dakord me ato që reforma kërkon të sjellë.

A ka pasur më parë, në 24 vite një verifikim të burimeve njerëzore në çdo shkollë emër për emër, profil për profil? E nëse po, pse nuk u evidentuan 1984 mësues pa arsim përkatës apo 2065 të tjerë jashtë profilit? E thjeshtë. Sepse nuk kishte kontroll, sepse nuk kishte vullnet për të ndryshuar procesin korruptiv të emërimeve në arsim, pa kritere dhe në shkelje të ligjit.

Të gjithë kemi dëgjuar për normat standarde për t’u punësuar në arsim, nga 2000-5000 euro, por asnjë drejtor në të shkuarën nuk është shkarkuar e nuk ka shkuar para drejtësinë. Mësues që fillonin punë pas zarfeve të korrupsionit dhe klientelës politike. U hoq inspektimi nga çdo DAR, paga të ulëta për punonjësit e DAR/ZA-ve  si i gjithë pranuar fakti që këta marrin para edhe nga anë të tjera. Asnjë raportim publik. Kjo ishte tabloja e së shkuarës në emërimet në arsim. A nuk është e qartë se të gjitha këto ishin bërë si me dorë për t’i lënë dorë të lirë korrupsionit?!

4000 dëshmi gjetëm në sistem në shkelje të hapur të ligjit dhe ishin pikërisht aty, sepse janë emëruar në bazë të aferave korruptive.

Ne po adresojmë riorganizimin e DAR-ve duke kthyer inspektimin edhe në nivel lokal. Përmes buxhetit po rrisim pagat e punonjësve të DAR-ve, të barazuar me një mësues apo drejtor shkolle të mesme. Kemi ndërtuar një sistem merite për të gjithë punën në arsim. “Mësues për Shqipërinë” dhe testimi i realizuar në 12 qarqe me kritere të forta miradministrimi, njësoj si matura shtetërore, është përgjigja jonë më e mirë për luftën ndaj korrupsionit për emërimet në arsim.

Po ku më parë IAL-të  publike dhe private kanë kaluar procesin rigoroz të kontrollit të kritereve të ligjshmërisë. Pedagogët thonë jo, asnjëherë në 24 vite nuk kemi pasur një inspektim të tillë. Dhe kjo është e vërtetë. Se si lulëzuan IAL-të  private, si hapeshin degë e profile të pa licencuara e të pa akredituara, po cila ishte ajo arsye që jepeshin licenca edhe kur Këshilli i Akreditimit shprehej kundër. Po pse lulëzoi paligjshmërie në IAL publike?!

Ne u angazhuam dhe sot është një realitet që i kthyem këto institucione në shinat e ligjit dhe vijojmë me procesin e akreditimit nga një agjenci prestigjioze.

Një moment tjetër i rëndësishëm që do të  ndaja me ju si një shtyllë e rëndësishme ku bazohet sistemi arsimor ka të bëjë me transparencën, sepse atje ku ka transparencë dhe llogaridhënie korrupsioni e ka të pamundur të veprojë.

Ne nuk e bazojmë transparencën si dikur, në një lloj servirjeje copëzash aty- këtu, ne nuk e mbështesim transparencën as në formularët tip të raportimit, as thjesht në publikime e rezultate të maturës shtetërore, ku kalonin 90% të maturantëve, dhe pse Shqipëria rezultonte me një shkallë analfabetizmi prej 37 %.

Për ne nuk janë transparencë as libërthat e inspektimit që kishin lënë 12 piramida në arsimin parauniversitar, që nuk thonë asgjë për 4000 dëshmi abuzimi me burimet  njerëzore, pa folur për tradhtinë që u bëhej prindërve shqiptarë duke mbajtur në këmbë universitete kioska me diploma të pavlera.

Ne e kemi refuzuar këtë lloj transparence. Por kemi zhvilluar transparencën që mbështetet në të vërteta të verifikueshme dhe publike sa do të hidhura qofshin. 4 raportime publike dhe llogaridhënie kemi realizuar në këtë mënyrë mbi të vërteta të matshme, të verifikuara shkollë për shkollë, emër për emër.

Karta e performancës është arritje për të cilën ne jemi angazhuar dhe sot është një realitet. Një instrument i rëndësishëm në duart e prindërve dhe mësuesve për të matur arritjet e shkollës, por edhe një instrument i rëndësishëm krahas etikës profesionale në luftën ndaj korrupsionit.

Shkolla si “Qëndër Komunitare”, kurrikula e re që edukon qytetarët në zbatim të ligjit, të përgatitur për të qenë qytetarë të suksesshëm në luftën ndaj korrupsionit mundëson edhe nismat që mësuesit, rinia, komunitetet të jenë bashkë për të iniciuar zhvillime të reja në komunitet në luftën kundër korrupsionit.

Rankimi kombëtar i mësuesve për çdo profil është po ashtu një hap i fortë. Sot, për çdo prind të Shqipërisë do të dihet në mënyrë të qartë dhe publike rankimi i të gjithë mësuesve sipas meritës në çdo profil.

Do të jetë kjo dhe vetëm kjo listë, si dhe mënyrë që do t’ua bëjë të qartë prindërve zgjedhjen në komisionet e tyre për vlerësimit për t’i kthyer këta mësues në mësues definitiv pranë shkollave.

Teknologjia dhe inovacioni në shërbimet arsimore, në njohjen e diplomave, për testimin dhe kualifikimin, për denoncimin e rasteve korruptive janë një përgjigje efecientë në luftën nga korrupsionit.

Vendosmëria dhe angazhimi ynë nuk mbarojnë, për të ecur përpara në këto procese të rëndësishme me vullnet dhe me sisteme të shëndetshme.

Faleminderit! 

http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/fjalime/fjala-e-ministres-lindita-nikolla-ne-forumin-kombetar-kunder-korrupsionit