Qytetarë-Qeveri, së bashku në betejën e korrupsionit

“Qytetarë, mësues, pedagogë, prindër e studentë, nga sot është momenti për të denoncuar me fakte për korrupsionin në arsim, për korrupsionin në emërime, për kurset private, notat e pamerituara, etj. Të  nderuar qytetarë! Bëjeni betejën kundër korrupsionit të fituara përmes denoncimeve tuaja. Bëjeni  një betejë të fituar përmes rezultateve dhe jo fjalëve. Unë si  Ministre e Arsimit dhe Sportit kam nevojë për secilin nga ju. Pas dritares në portal ku shkruan arsimi fillon puna ime për ti shkuar deri në fund çdo denoncimi dhe për ta fituar këtë betejë. Në të kundërt keni gjithë arsyet për ta drejtuar gishtin nga unë si njeriu përgjegjës për humbjen e betejës”, tha Ministrja Lindita Nikolla.

Çdo qytetar të cilit i është kërkuar apo ofruar të përfshihet në një marrëdhënie korruptive brenda administratës shtetërore, mund të denoncojë korrupsionin përmes kësaj faqeje elektronike http://www.stopkorrupsionit.al/

Ankesat për korrupsion, sipas fushës që i përkasin, i drejtohen direkt personit të caktuar nga çdo institucion për të ndjekur përkatësisht çështjet për korrupsion dhe fillon menjëherë kontrolli dhe verifikimi i brendshëm sipas procedurave për trajtimin e ankesave dhe denoncimeve.

Në rast se ka ankesa të përsëritura nga individë të ndryshëm për një person specifik ose për një institucion, dhe mblidhen të dhëna të bazuara që përbëjnë prova për çështje penale, rasti i referohet Prokurorisë.

Sistemi i ri arsimor tashmë mbështetet në tri shtylla të qëndrueshme:

  • Gjithëpërfshirja
  • Inspektimi
  • Transparenca dhe llogaridhënia.

 

Me to po ndërtohen sisteme të shëndetshme në luftën kundër korrupsionit në aleancë të plotë me qytetarin.

 

http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/lajme/qytetare-qeveri-se-bashku-ne-betejen-e-korrupsionit&page=1